Thursday 19 February 2015

..:: Ja Arsyet për të mos pirë Duhanin ::..





Cigarja përmban rreth 400 substanca helmuese, të cilat ndikojnë në jetëgjatësinë e njeriut, duke e ulur atë nga 7 në 10 vjet.
Pirja e duhanit mund të shkaktojë:
Arsyeja e Parë:
Kancer. Kanceri i mushkërive, fytit dhe i gojës janë mjaft të përhapur tek duhanpirësit dhe rrallë mund të prekin persona të tjerë që nuk pinë duhan. Sipas statistikave, 90% e rasteve me kancer të mushkërive ndodhin për shkak të duhanpirjes. Të përhapura gjithashtu tek duhanpirësit janë edhe kanceri i fshikëzës së urinës, i ezofagut, i veshkave i pankreasit dhe kanceri i qafës së mitrës.
Arsyeja e Dytë:
Sëmundje Kardiovaskulare. Duhani ndikon në shtimin e rrahjeve të zemrës dhe konsumi i tij për një kohë të gjatë #on në aritmi. Gjithashtu, duhani ndikon në ngushtimin e enëve të gjakut, forcimin dhe humbjen e elasticitetit të tyre. Në të njëjtën kohë, nga konsumi i duhanit, aftësia mpiksëse e gjakut rritet katër herë. Kjo gjë që çon në mpiksje të gjakut dhe trompozë. Ngushtimi dhe bllokimi i enëve të gjakut në pjesë të ndryshme të trupit mund të shkaktojë atak në zemër, goditje në tru, paralizë, hipertension, gangrenë, katarakt në sy, etj.
Për meshkujt duhanpirës rreziku për të pasur probleme me erektimin rritet në 50%. Kjo vjen për shkak të ngushtimit të enëve të gjakut, të cilat bëjnë që penisi të mos furnizohet mjaftueshëm me gjak duke shkaktuar impotencë.
Arsyeja e Tretë:
Sëmundje Pulmonare Kronike. Duhani është përgjegjës në 80% të rasteve për zhvillimin e sëmundjeve pulmonare kronike, si emfizema dhe bronkiti kronik. Gjithashtu, duhani e përkeqëson mjaft astmën dhe rrit faktorët e riskut për pneumoni, laringit, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, bronkit asmatik, emfizemë pulmonare, etj.
Arsyeja e Katërt:
Infertilitet. Çiftet duhanpirës kanë më shumë mundësi për të pasur probleme me fertilitetin sesa ata që nuk pinë duhan. Në qoftë se të dy partnerët janë konsumatorë të duhanit, risku për infertilitet është dy herë më i lartë nëse vetëm njëri prej partnerëve është duhanpirës.
Arsyeja e Pestë:
Rënie të Dhëmbëve. Duhani shkakton njolla, zverdhje dhe rënie të dhëmbëve, dëmtim dhe fryrje të mishrave të dhëmbëve, si dhe erë të keqe nga goja. Ai dëmton mukozën e gojës, nxit prodhimin e pështymës, jep një shije të keqe në gojë dhe ndryshon shijen e ushqimeve.
Arsyeja e Gjashtë:
Ulçer në Stomak. Duhani, dëmton aparatin e tretjes, dëmton mukozën e stomakut dhe ndikon në shfaqjen dhe përparimin e ulçerës në stomak.
Arsyeja e Shtatë:
Probleme me Lëkurën. Lëkura e duhanpirësit është më e zbehtë dhe më me shumë rrudha, pasi duhani redukton furnizimin me gjak të lëkurës dhe ul nivelin e vitaminës A.
Arsyeja e Tetë:
Probleme në Fetus. Nëse një grua shtatzënë është konsumatore e duhanit, dëmi që shkakton te fetusi është jashtëzakonisht i madh. Pirja e duhanit shkakton uljen e oreksit të gruas shtatzënë, ndërkohë që ajo ka nevojë për ushqim për të përballuar procesin e vrullshëm të zhvillimit embrional dhe atë fetal. Duhani ul aftësinë e mushkërive për të thithur oksigjenin dhe kjo pengon zhvillimin normal të foshnjës. Në mungesë të oksigjenit dhe lëndëve ushqyese nuk mund të ketë zhvillim normal të trurit dhe organeve të tjera.
Nikotina dhe përbërësit e tjerë të duhanit, dëmtojnë zhvillimin normal të bebes. Ajo rrit rrahjet e zemrës dhe lëvizjet frymëmarrëse të bebes.
Përqindja e aborteve, lindjeve të parakohshme dhe foshnjave nën peshë është më e lartë tek nënat që pijnë duhan. Nënat duhanpirëse bëjnë lindje të vështira, gjë që krijon probleme, madje çon edhe në dështim. Ato shpesh kryejnë lindje të parakohshme dhe bebet e tyre peshojnë rreth 150 gr më pak se pesha normale. Fëmijët që lindin nga një nënë konsumatore e duhanit janë të prirur për sëmundje të tilla si astma dhe  infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes. Gjithashtu, pas lindjes, lëndët e rrezikshme kalojnë edhe përmes qumështit të gjirit nga nëna tek bebja. Tek foshnjat e nënave duhanpirëse sindroma e vdekjes së papritur (në të cilën foshnjat nën gjashtë muaj pushojnë së marri frymë dhe vdesin pa shkaqe të dukshme) është më e shpeshtë se tek nënat jo-duhanpirëse.
Arsyeja e Nëntë:
Helmim i Sistemit Nervor. Për ata që pinë për herë të parë duhan, mund të ndodhë helmimi i menjëhershëm i trurit, i cili shoqërohet me dhimbje koke, të vjella, marrje mendsh, etj. Për ata që e pinë duhanin për një kohë të gjatë, ndodh helmimi kronik i sistemit nervor, i cili shoqërohet me dhimbje të vazhdueshme të kokës, marrje mendsh, ulje kujtese, etj.
Arsyeja e Dhjetë:
Osteoporoza. Pirja e duhanit pengon absorbimin e kalciumit nga organizmi, duke ulur densitetin kockor dhe favorizuar frakturat.

..:: Simptomat e Shtatzënisë ::..





Ndryshimet e rëndësishme anatomo-fiziologjike në trupin e gruas shtatzënë çojnë pashmangshmërisht në simptoma që njihen si simptomat e shtatzënisë. Ndryshimet më të rëndësishme janë niveli i shtuar i hormoneve, veçanërisht hormoni i quajtur gonadotropina korionike njerëzore (hCG), progresteroni, dhe estrogjeni, si dhe shtimi i peshës së organizmit për shkak të rritjes së vëllimit të gjakut, fetusit, etj.
Për shëndetin e nënës dhe fëmijës është mjaft e rëndësishme që një grua të dijë sa më shpejt faktin se tashmë ajo është shtatzënë. Kjo për shkak se organet më të rëndësishme të fëmijës zhvillohen qysh në javët e para të shtatzënisë. Nëse ju e konfirmoni sa më shpejt shtatzëninë, aq më shpejt dhe më mirë do të përgatiteni për të, në funksion të shëndetit tuaj dhe fëmijës tuaj. Në të kundërt, jeta e fëmijës rrezikohet seriozisht.
Jo domosdoshmërisht një grua mundet të mësojë që në momentin e parë se është shtatzënë.
Vetëm pak gra e dinë që ato janë shtatzënë qysh në momentin e ngjizjes. Të tjerat mësojnë se janë shtatzënë vetëm kur evidentojnë ndërprerjen e menstuacioneve. Më shumë se të mirëinformuara në fushën e riprodhimit, ato arrijnë që me intuitë të dinë se kur janë shtatzëna, madje të përcaktojnë saktësisht edhe momentin e saktë kur ndodhi ngjizja.
Për shumicën e grave, periudha e hershme e shtatzënisë kalon pa u kuptuar nga ato, edhe pse simptomat kanë filluar të shfaqen. Nëse shfaqen, ato duhet të përkthehen se çfarë duan të thonë.
Simptomat nuk shfaqen rregullisht tek çdo grua. Madje edhe tek një grua shfaqen simptoma të ndryshme nga një shtatzëni në tjetrën. Duke pasur parasysh kohën kur ato shfaqen, simptomat e shtatzënisë mund të klasifikohen si simptomat e hershme të shtatzënisë dhe simptomat gjatë maturimit të shtatzënisë.
Simptomat e hershme të shtatzënisë janë më pak të dukshme  dhe zhduken me kalimin e kohës, kurse simptomat gjatë maturimit të shtatzënisë janë simptoma të dukshme dhe shfaqen zakonisht deri në lindje.
Cilat janë simptomat e shtatzënisë?
Lodhja dhe Dobësia. Lodhja dhe dobësia e përgjithshme konsiderohen një nga simptomat hershme të shtatzënisë dhe kjo zakonisht vazhdon deri në muajin e tretë.  Pas muajit të tretë do të ndjeheni energjike dhe e relaksuar, ashtu sikurse më parë. Kjo gjendje do të vazhdojë deri në muajin e shtatë kur lodhja dhe dobësia do të shfaqen përsëri, por për shkaqe të tjera. Fetusi është rritur shumë dhe trupi duhet të përballojë një peshë ekstra, gjë që çon në lodhje dhe dobësi. Kjo është e shpeshtë dhe fillon qysh në mëngjes. Sapo zgjohesh dhe ngrihesh nga shtrati, e ndien veten  të lodhur dhe pa entuziazëm. Lodhja dhe dobësia ju shoqërojnë gjatë gjithë ditës. Kjo simptomë shfaqet me dëshirën për të fjetur gjatë gjithë ditës dhe shkaktohet nga nivelet e shtuara të progresteronit. Në disa raste, këto hormone mund të krijojnë efektin e kundërt, duke krijuar pagjumësi gjatë natës.
Një arsye tjetër e lodhjes mund të jetë edhe niveli i ulët i sheqerit në gjak. Gjatë shtatzënisë, organizmi harxhon më shumë energji për shkak të nevojës për rritje dhe zhvillim të fetusit dhe kjo shkakton rënie të sheqerit në gjak.
Gruaja shtatzënë duhet t’i kushtojë më shumë kohë dhe vëmendje relaksit. Pushimet duhet të jenë më të shpeshta. Gjatë ditës gruaja shtatzënë duhet të qetësohet dhe të flejë në drekë.
Por jo të gjitha gratë mund ta kenë këtë simptomë. Edhe pse kjo është një siptomë që prek shumicën e grave, një pjesë prej tyre mund të mos ta kenë një simptomë të tillë.
Urinimi i Shpeshtë. Gruaja shtatzënë ka nevojë të urinojë shpesh dhe kjo simptomë, që cilësohet si simptomë e hershme, shfaqet duke filluar nga java e dytë ose e tretë e shtatzënisë. Kjo ndodh sepse mitra fillon të zgjerohet dhe ushtron presion mbi fshikëzën e urinës. Rreth javës së 14-të mitra ngrihet lart në bark, duke e reduktuar këtë simptomë deri në javën e fundit të shtatzënisë, kur koka e fëmijës ulet poshtë në mitër dhe shkakton përsëri presion në fshikëz.
Përveç kësaj, niveli i shtuar i progresteronit në gjak stimulon muskujt e fshikëzës edhe pse fshikëza mund të mos jetë e mbushur dhe në këtë mënyrë, muskujt e saj vihen në lëvizje.
Arsyeja e tjetër që ndikon në urinimin e shpeshtë gjatë shtatzënisë është rritja e sasisë së gjakut dhe si pasojë, rritet nevoja e organizmit për të filtruar këtë gjak.
Gjatë muajve të fundit, atëherë edhe kur mitra është rritur shumë dhe presioni mbi fshikëzën e urinës është më i madh se asnjëherë tjetër, tek disa gra fillon urinimi i pavullnetshëm. Ato lëshojnë urinë kur lëvizin paksa, kolliten, teshtijnë apo qeshin. Kjo gjendje është normale dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, veç kujdesit për të mos bërë lëvizje të sforcuara.
Fryrja dhe Forcimi i Gjoksit. Fryrja dhe forcimi i gjoksit është një nga shenjat e hershme të shtatzënisë. Kjo simptomë mund të shfaqet menjëherë pas ngjizjes dhe është si rezultat i ndryshimeve të shpejta hormonale. Ato mund të rriten dhe zmadhojnë numrin e tyre, duke u bërë më të rënda. Gjoksi fryhet dhe forcohet, kurse thithat e gjoksit rrumbullakosen dhe bëhen më të errëta. Rreth thithave krijohen “relieve” , ose gunga të vogla, të cilat mund të bëhen lehtësisht të dukshme. Gjithashtu, enët e gjakut bëhen të dukshme në ngjyrën blu të errët përgjatë gjithë gjoksit.
Përveç këtyre ndryshimeve, gjoksi bëhet më i ndjeshëm në prekje dhe shpesh, edhe mund të ndjeni pakëz dhimbje. Këtyre ndryshimeve, gruaja shtatzënë duhet t’i përshtatet duke rritur numrin e sytjenave.
Dhimbje Barku. Dhimbjet e barkut janë një nga simptomat e hershme më të zakonshme të shtatzënisë. Ndryshimet e mëdha që fillojnë të ndodhin në trupin tuaj i japin shpesh gruas shtatzënë dhimbje barku. Këto dhimbje janë të ngjashme me dhimbjet gjatë menstruacioneve kur ju keni sindromën premenstruale.
Gjithashtu, ndërmjet javës së 18-të dhe 24-t të shtatzënisë mund të ndjeni një dhimbje të mprehtë në një anë ose të dyja anët e fundit të barkut. Dhimbja mund të shfaqet edhe pranë kockës mbi organin gjenital. Kjo dhimbje shtohet veçanërisht kur lëvizni me shpejtësi apo kryeni një aktivitet fizik dhe pakësohet nëse qëndroni shtrirë. Kjo quhet dhimbja e ligamentit rrethor. Ligamentet rrethore janë tufa indesh fibroze në secilën anë të mitrës dhe lidhin pjesën e sipërme të mitrës me buzët e vaginës. Kur mitra zmadhohet në tremujorin e dytë, këto ligamente zgjaten dhe shkaktojnë dhimbje.
Kjo simptomë është krejtësisht normale dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Pas javës së 24-t dhimbja zakonisht largohet ose pakësohet në mënyrë të ndjeshme.
Dhimbje Koke. Ndryshimet hormonale shpesh japin edhe dhimbje koke. Dhimbja e kokës është nga simptomat e hershme të shtatzënisë.
Ndërprerja e Menstruacioneve. Ndërprerja e menstruacioneve natyrisht është simptoma më e rëndësishme e shtatzënisë. Kjo simptomë përbën një arsye të fortë për të bërë testin e shtatzënisë. Megjithatë, ndërprerja e menstruacioneve nuk do të thotë se ngjarja e shtatzënisë është plotësisht e sigurt. Janë edhe mjaft faktorë të tjerë që ndërpresin menstruacionet, të tilla si: mbilodhja, stresi në nivele të larta, çrregullimet hormonale, disa sëmundje, etj.
Dhimbje Shpine. Gjatë shtatzënisë, trupi e humbet qendrën e natyrshme të gravitetit. Ligamentet zbuten, hapen dhe tendosen për t’u adaptuar dhe dhënë mbështetje zmadhimeve të mitrës si dhe muskujve rreth stomakut. Një situatë e tillë shkakton dhimbje shpine, e cila mund të vazhdojë gjatë gjithë shtatzënisë.
Deri në tre të katërtat e grave shtatzënë ankohen nga dhimbjet e shpinës. Fatmirësisht, vetëm një të katërtat e tyre janë probleme serioze që kërkojnë trajtim mjekësor.
Rritja e Temperaturës së Trupit. Kjo konsiderohet si një nga simptomat e hershme të shtatzanisë. Rritja e temperaturës së trupit është një shenjë e qartë se ju jeni shtatzënë. Temperatura e trupit rritet gjatë kohës së ovulimit. Nëse ajo nuk zbret në nivelet normale edhe për dy javë të tjera, kjo tregon se jeni shtatzënë.
Kapsllëku. Kapsllëku është një nga shenjat e hershme dhe të zakonshme të shtatzënisë që shkaktohet nga niveli i lartë i progresteronit dhe mitra e zmadhuar. Progresteroni shkon në zorrë dhe ngadalëson procesin e tretjes dhe si pasojë, edhe procesi i jashtëqitjes ngadalësohet. Kurse mitra me zmadhimin e saj krijon shtypje në zorrë, duke penguar jashtëqitjen. Kapsllëku gjithashtu mund të rëndohet edhe nga faktorë të tjerë, siç mund të jetë marrja e hekurit për shkak të ndonjë anemie në shtatzëni.
Diarreja. Ndryshe nga kapsllëku, diarreja është një simptomë jo shumë e pranishme në shtatzëni. Disa gra vuajnë nga diarreja në fazat e hershme ose gjatë tremujorit të parë, por shpesh kjo simptomë është jetëshkurtër. Diarreja tek gratë shtatzëna mund të shkaktohet nga ndryshimi i dietës ushqimore (si pasojë e nepsit të shtuar për ushqime të ndryshme), ose prej ndryshimeve hormonale. Vëmendje duhet t’i kushtohet diarresë në rastet kur ajo shoqërohet me ethe, apo njolla gjaku në feçe. Kjo mund të jetë shenjë e diçkaje më serioze që duhet të tërheqë vëmendjen e mjekut.
Çrregullimet e Shqisës së Nuhatjes. Gratë shtatzëna zhvillojnë nuhatjen si dhe kanë preferenca apo neveri të egzagjeruara për aroma të caktuara. Kjo mund të shfaqet zakonisht në fund të muajit të parë të shtatzënisë. Sipas hulumtimeve, rreth gjysma e grave shtatzëna preken nga kjo simptomë. Shmangni ato aroma për të cilat ndjeni neveri.
Çrregullimet e Shqisës së Shijes. Disa ushqime papritmas ndryshojnë shije edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar nga përbërja dhe mënyra e tyre e gatimit. Ato ushqime që më parë ishin të preferuara, befas nuk janë më. Disa prej ushqimeve të tjera mund të neveriten. Gjithashtu, gratë shtatzëna ndiejnë një shije metalike në gojë.
Nepsi. Shtatzënia shoqërohet edhe me nepsin për disa ushqime të veçanta. Është e këshillueshme që nepsi kur shfaqet të plotësohet, pasi ai mund të kthehet në një mani që rrezikon për komplikacione gjatë shtatzënisë. Nepsi mund të kontrollohet vetëm me shmangien e pamjeve dhe aromave të ushqimeve, gjë që është e domosdoshme të kryhet.
Çrregullimet Emocionale. Gjatë muajve të parë të shtatzënisë, për shkak të hormoneve të shtuara, gruaja pëson lëkundje të shpeshta të humorit dhe gjendjes emocionale. Në disa gra, çrregullimet emocionale mund të jenë aq të mëdha, saqë tek to mund të shfaqet edhe “depresioni i shtatzënisë”.
“Sëmundja e Mëngjesit”. Ndjenja e përzierjes në stomak dhe të vjellët janë pagëzuar me këtë emër për shkak të kohës kur zakonisht këto ndodhin – në mëngjes. Por megjithëse ka marrë emrin “sëmundja e mëngjesit”, përzierja dhe të vjellët mund të ndodhin në çdo çast të ditës.
Këto simptoma janë të pranishme tek 75% e grave shtatzëna gjatë tremujorit të parë, kurse më pas ato lehtësohen. Shkaqet e këtyre simptomave janë të panjohura, por shumë shkencëtarë mendojnë se ato janë të lidhura me nivelin e hormonit hCG në gjak.
Edhe në rastet kur keni vetëm ndjesinë e përzierjes pa u shoqëruar me të vjella, kjo ndjenjë është mjaft e pakëndëshme. Këto simptoma nuk janë të rrezikshme për ju dhe për shëndetin e fëmijës tuaj nëse nuk janë të shpeshta. Pesha optimale që duhet të shtoni për tremujorin e parë është vetëm 2 kg. Por, edhe nëse humbisni në peshë, kjo nuk përbën ndonjë problem të madh në shtatzëninë e hershme – shumë grave u ndodh kjo.
Por nëse shpesh shoqërohet me të vjella deri në gradën që nuk arrini të mbani ushqimet dhe lëngjet, atëherë duhet patjetër të kryeni një vizitë mjekësore. Të vjellët çojnë në dehidratim, mungesë të lëndëve ushqimore, dobësim të organizmit, rënie të imunitetit të trupit, gjendje të fikëti, etj.
Rritja e sasisë së Pështymës. Gjatë gjysmës së parë të shtatzënisë mund të shfaqet një simptomë që quhet “ptializëm”. Ptializmi është shtimi i sasisë së prodhuar të pështymës, e cila shfaqet me disa karakteristika, si: shije e hidhët e pështymës, trashje e gjuhës dhe enjtje e faqeve për shkak të zmadhimit të gjendrave të pështymës.
Ptializmi është më i zakonshëm tek gratë shtatzëna që kanë “sëmundjen e mëngjesit”.
Ulja e nivelit të Sheqerit në Gjak. Për shkak të rritjes së aktivitetit të organizmit, por edhe nga ndalesa e ushqimeve si pasojë e ndjenjës së pakëndshme të përzierjes në stomak, niveli i sheqerit në gjak bie. Mungesa e sheqerit është një anomali që duhet pasur në konsideratë për shkak të pasojave që ajo jep. Për këtë arsye, është e këshillueshme që vaktet e ushqimit të merren në porcione të vogla dhe sa më shpesh. Në këtë mënyrë eleminohen në një masë të madhe përzierjet dhe të vjellat. Mos harroni gjithashtu edhe përdorimin e lëngjeve.
Vështirësi në Frymëmarrje. Vështirësia në frymëmarrje vjen nga mosngopja e organizmit me frymë. Progresteroni rrit ritmin e frymëmarrjes duke krijuar vështirësi në ngopjen e organizmit me oksigjen. Nga ana tjetër, kërkesa e organizmit për oksigjen është më e madhe, pasi fetusi thith një pjesë të tij dhe vështirësia në frymëmarrje rritet me zmadhimin e tij. Ai ushtron presion mbi diafragmë dhe mushkëri duke mos lejuar funksionin normal të tyre.
Kjo simptomë është mjaft e zakonshme. Rreth dy të tretat e grave shtatzëna ankohen nga mbajtja e frymës.
Marramendja. Ndjenja e marramendjes është e zakonshme në shtatzëni. Në stadet e fillimit, marramendja mendohet se ndodh për shkak të rritjes së fluksit të qarkullimit të gjakut nga prania e shtuar e hormoneve, kurse më vonë mendohet se marramendja shkaktohet nga rritja e fluksit të gjakut prej presionit që shkakton mitra në enët e gjakut.
Marramendja mund të jetë edhe si pasojë edhe e uljes së nivelit të sheqerit në gjak, rënie e presionit të gjakut ose ngritje e menjëhershme e tij dhe nxehtësia e tepruar.
Të Fikëtit. Të fikëtit është një simptomë e rrallë në shtatzëni. Të fikëtit mund të shkaktohet nga rënia e fluksit të gjakut në tru. Të fikëtit është një simptomë që nuk e dëmton fëmijën, megjithatë, duhet që në rast se kjo simptomë shfaqet, duhet të vihet menjëherë mjeku në dijeni, për shkak se të fikëtit mund të jetë një shenë e një anemie të rëndë.
Gazrat në Traktin Tretës. Nivelet e larta të progresteronit bëjnë të mundur depozitimin e ujrave në trup si dhe muskujt e aparatit tretës të relaksohen dhe ngadalësohen. Këto pasoja sjellin ngadalësimin e procesit të tretjes. Ky ngadalësim sjell rritjen e sasisë së gazrave në zorrë, duke krijuar një gjendje të padëshiruar me fryrje të barkut dhe gurgullima të zorrëve. Për të shmangur këto ndërlikime, mos hani ushqime në sasi të mëdha, por hani pak dhe shpesh.
Sekrecionet Vaginale. Gjatë shtatzënisë janë vërejtur si një dukuri e shpeshtë dhe normale sekrecionet vaginale. Kjo situatë është normale gjatë shtatzënisë dhe duhet të pritet. E rëndësishme është që të identifikoni natyrën e këtyre shkarkimeve, pasi ato tregojnë shumë. Ato mund të identifikojnë probleme gjatë shtatzënisë, ose të konfirmojnë se shtatzënia po shkon në rregull.  Në një situatë normale, sekrecionet më së shumti e kanë origjinën nga prodhimi i mukusit vaginal, i cili shërben si një mbrojtje e fetusit nga infeksionet. Lëngjet e sekretuara mund të jenë të rrëshqitshme dhe të ujshme, ose mund të vijnë si një masë kremoze me ngjyra kafe, të bardha, ose të verdha. Gjithashtu, e rëndësishme është që të identifikoni erën e tyre. Nëse ato kanë një erë të lehtë dhe të pandieshme, janë normale, por nëse ato mbajnë një erë të rëndë, kjo është një shenjë e infeksionit dhe duhet të bëni sa më parë një vizitë mjekësore.
Sekretimet të bardha si qumësht janë sekretimet më tipike të shtatzënisë dhe shkaktohen nga rritja e nivelit të hormoneve dhe e sasisë së gjakut në qarkullim. Ato nuk kanë erë, ose mund të mbajnë një erë mjaft të lehtë. Ky lloj sekretimi është mjaft i ndryshëm nga të gjitha sekretimet e mëparshme dhe është shenjë e shtatzënisë dhe duhet t’ju nxisë për të bërë një test të shtatzënisë.
Sekretimet me ngjyrë të verdhë janë po aq e zakonshme sa sekretimet me ngjyrë të bardhë. Nëse këto sekretime nuk shoqërohen me erë të rëndë, ato janë normale, por nëse ato mbajnë një erë të rëndë dhe të fortë, kjo është një shenjë e komplikacioneve të shtatzënisë. Një ngjyrë e verdhë në të gjelbër, sidomos kur shoqërohet me kruajtje vaginale, tregon për infeksionet vaginale si kandidoza, trikomonoza apo klamidia. Këto sëmundje japin komplikacione të rënda të shtatzënisë, si lindje të parakohshme, vështirësi në procesin e lindjes e deri dështim.
Sekretimet ngjyrë kafe janë simptomë e hershme e shtatzënisë dhe ndodh pas ngjizjes në një pjesë të konsiderueshme të grave shtatzëna. Ajo jep lajmin e mirë se ngjizja është realizuar. Nga pikëpamja anatomo-fiziologjike, lëngu ngjyrë kafe nuk është gjë tjetër, veçse oksidimi i një sasie të vogël gjaku e cila shkaktohet nga vendosja e vezës në mitër. Nëse ngjyra është e hapur, nuk ka vend për alarm, por në sasi të madhe dhe me sekretime të shpeshta, lëngjet kafe janë shenjë e një aborti.
Gjakderdhja Vaginale. Ndonjëherë gruaja shtatzënë mund të vërejë gjakderdhje vaginale. Kjo ndodh sepse qafa e mitrës gjatë shtatzënisë është mjaft delikate dhe dëmtohet lehtë nga shtypjet që mund të ushtrohen mbi të si dhe nga marrëdhëniet seksuale. Gjakderdhja mund të shoqërohet nga një dhimbje e lehtë dhe shpesh ngatërrohet me perioda të parakohshme.
Gjakderdhjes duhet t’i kushtohet vëmendje. Edhe shtatzënia ektopike (shtatzënia jashtë mitre) mund të shoqërohet me gjakderdhje. Nëse gjakderdhja është me origjinë nga mitra, kjo mund të jetë pasojë e një dështimi dhe kërkon një asistencë të menjëhershme mjekësore.
Gjakderdhja nga Mishrat e Dhëmbëve. Gjakderdhja nga mishrat e dhëmbëve nuk është një simptomë e shpeshtë e shtatzënisë. Megjithatë një numër grash shtatzënë kanë lajmëruar mjekun për këtë simptomë. Ashtu si në mjaft simptoma të tjera të shtatzënisë, edhe gjakderdhja nga mishrat e dhëmbëve shkaktohet nga rritja e nivelit të progresteronit. Në këto kushte, është e këshillueshme që gratë shtatzëna me këtë simptomë të kenë kujdes nga përdorimi i furçës së dhëmbëve.
Djegia e Stomakut. Nga fundi i shtatzënisë shpesh shfaqet një djegie në pjesën e sipërme të stomakut, pranë sternumit (kockës së gjoksit). Djegia në stomak është rezultat i aciditetit të stomakut, e cila vjen nga poshtë-lart nëpërmjet ezofagut.
Djegia e stomakut në shtatzëni vjen për dy arsye: së pari, ngadalësimi i procesit të tretjes si pasojë e progresteronit të shtuar shkakton aciditet të lartë dhe së dyti, progresteroni relakson dhe qetëson muskujt, duke bërë që muskujt e sfinkterit të mos bllokojnë plotësisht acidet që ngjiten në ezofag.
Rrjedhja dhe Bllokimi i Hundëve. Rritja e sasisë së progresteronit dhe estrogjenit provokon një fluks më të madh gjaku në trup, duke bërë që indet e hundës të enjten. Kjo mund të sjellë në bllokim ose mbiprodhim të mukozës së hundës. Trashja e indit të hundës vazhdon gjatë gjithë shtatzënisë për t’u kthyer në normalitet pas lindjes.
Ëndërrat gjatë Natës. Gjatë shtatzënisë, shumë gra pohojnë se shikojnë shpesh ëndërra gjatë natës në lidhje me shtatzëninë dhe foshnjën. Nuk ka asnjë shpjegim bindës për këtë dukuri që ndodh shpesh gjatë shtatzënisë.
Pagjumësia. Pagjumësia është një dukuri e zakonshme në shtatzëni, sidomos gjatë muajve të fundit. Kjo shkaktohet nga katër arsye: së pari, ankthi i justifikuar për lindjen e fëmijës, i cili është prezent, sidomos afër lindjes; së dyti, masa e shtuar e trupit shkakton parehati në të fjetur dhe kjo për shumë gra përbën një sfidë reale; së treti nga niveli i shtuar i hormoneve dhe së katërti, problemet me djegiet e stomakut, urinimet e shpeshta dhe mostretja janë faktorë që ndikojnë në pagjumësi.
Fryrja e Trupit. Fryrja e trupit, që njihet me termin “edemë”, vjen si pasojë e akumulimit të lëngjeve në trup. Edema është një dukuri normale dhe mjaft e zakonshme që prekin tre të katërtat e grave shtatzëna. Zakonisht edemat shfaqen në këmbë, duar gishta dhe kyçe. Ajo është më e dukshme në fund të ditës, pas një qëndrimi të zgjatur ulur dhe pa lëvizje, si dhe në një kohë të ngrohtë. Në rastet e fryrjeve, duhet të njoftoni mjekun pasi ato mund të jenë edhe simptomë e eklampsisë, e cila ka nevojë për trajtim mjekësor.

Venat Varikoze. Venat varikoze janë të shpeshta në shtatzëni. Ato shfaqen në këmbë, anus (krijimi i hemorroideve), dhe nganjëherë në vulvë. Venat varikoze shkaktohen nga presioni që shkakton mitra mbi venat në zonën pelvike, duke bërë që gjaku të depozitohet në vena. Kjo shkakton zgjerimin e tyre. Obeziteti është një faktor ndihmës për venat varikoze, ashtu sikurse trashëgimia.
Normalisht, venat varikoze mund të zhduken pas lindjes dhe vetëm në një numër grash nuk zhduken plotësisht. Ato zakonisht nuk shkaktojnë dhimbje, por në rastin e hemorroideve, mund të jenë vërtet të dhimbshme dhe në këto raste, ndërhyrja e mjekut specialist është e domosdoshme.
Hemorroidet në shtatzëni shkaktohen nga presioni që shkakton mitra mbi enët e mëdha të gjakut të zorrës së trashë. Shtypja që ajo krijon si dhe progresteroni, i cili i lëshon venat bëjnë që ato të enjten dhe zmadhohen, duke u kthyer në vena varikoze.
Kjo simptomë nuk është e rrallë në shtatzëni. Edhe nëse arrini t’i shmangni hemorroidet gjatë shtatzënisë, ato me shumë mundësi mund të shfaqen gjatë procesit të lindjes.
Edhe pse hemorroidet shoqërohen me gjakderdhje, gjakderdhja nuk është e dëmshme nëse është me sasi të pakët. Por nëse gjakderdhja është e shpeshtë dhe me sasi të shtuar, është e rëndësishme të flisni me një mjek specialist, aq më tepër nëse këto hemorroide shoqërohen me dhimbje.
Ngërçet. Ngërçet në këmbë ndodhin më shpesh gjatë përparimit të shtatzënisë. Ato zakonisht fillojnë gjatë kohës kur gruaja gjendet në shtrat dhe trupi ka rënë në qetësi. Ka mjaft hipoteza për këtë dukuri, por jo plotësisht bindëse. Shumë mjekë I lidhin me nivelin e ulët të magnezit dhe kalciumit; disa me problemet e qarkullimit të gjakut, sidomos gjatë qëndrimit ulur, kurse të tjerë e shpjegojnë me depozitimin e lëngjeve në këmbë.
Të pasurit e simptomave të tilla nuk ju siguron 100% se jeni shtatzënë. Mjaft simptoma mund të jenë të lidhura me kushte të tjera shëndetësore. Vetëm testet e shtatzënisë janë ato që e vërtetojnë një gjë të tillë, kurse simptomat, përveç të tjerash, shërbejnë si indicie për t’u drejtuar tek mjeku. Sa më shpejt, aq më mirë.
Nga ana tjetër, mos u shqetësoni nëse nuk i keni të gjitha simptomat e shtatzënisë. Në fakt, ju mund të mos keni asnjë simptomë, por megjithatë jeni shtatzënë. Problem është nëse ju jeni shtatzënë, shfaqni simptoma dhe papritmas, ato zhduken. Kjo është shenjë se shtatzënia nuk po shkon si duhet.

..:: Çfarë ne shohim? ::..





Çdo njeri sheh jashtë atë që ka brenda vetes. Në ka brenda dritë, do të shohë dritë, në ka brenda errësirë, do të shohë errësirë, në ka brenda ngjyra, do të shohë lule! Kjo sepse janë mendimet e tua ato që krijojnë përceptimin tënd mbi realitetin dhe mendimet e tua pasqyrojnë vetë veten tënde!
Padyshim, ky është një nga përfundimet më të mrekullueshme! Kjo do të thotë se nëse ndryshojmë mendimet tona, kemi ndryshuar edhe atë çka ne shohim. Nëse orientohemi drejt paqes, harmonisë, arsyes dhe dashurisë, të njëjtat gjëra do të shohim edhe jashtë nesh: paqe, harmoni, arsye dhe dashuri. Ja pra, ato egzistokan! Dhe nëse ato i shohim, vazhdimisht do t’i tërheqim!
Ja se çfarë na thotë shkrimtari i njohur Mark Tuein në fabulën e tij:
Një herë, një piktor kishte bërë një pikturë të vogël, por shumë të bukur dhe e vendosi në një mënyrë të atillë që të shihej nga pasqyra.
Kafshët e pyllit e mësuan këtë nga maçoku i shtëpisë, të cilin e çmonin së tepërmi, meqënëse ishte shumë i ditur e i qytetëruar, me finesë e me kulturë të madhe.

Wednesday 18 February 2015

..:: PIRAMIDA E USHQIMEVE ::..



Dietë e ekuilibruar është ruajtja e një raporti mes karbohidrateve, yndyrnave, proteinave, vitaminave dhe kripërave minerale. Dieta e ekuilibruar vjen sipas një skeme të caktuar që quhet piramida ushqimore. Piramida ushqimore i ndan ushqimet ne shtatë grupe:

Në grupin e parë futen: mishi, peshku dhe veza. Këto ushqime përmbajnë rreth 18-20% të proteinave.
Në grupin e dytë renditen: qumështi dhe derivatet e tij, që janë një burim i mirë proteinash të cilësisë së lartë, por edhe burime të kalciumit, fosforit, vitaminës A, vitaminës B dhe vitaminës D.
Në grupin e tretë janë: drithërat, patatja dhe orizi të pasura me vitamina dhe proteina.
Në grupin e katërt renditen bishtajoret si: fasulet, bizelet, bathët, thjerrëzat, të cilat përmbajnë vitamina, kripëra minerale dhe yndyra.
Në grupin e pestë futen të gjitha yndyrat bimore që përdoren për gatim. Këto ndihmojnë për prodhimin e energjisë dhe sigurojnë acidet yndyrore esenciale.
Në grupin e gjashtë janë zarzavatet të cilat janë të pasura me vitamina, kripëra minerale dhe fibra ushqimore.
Në grupin e shtatë bëjnë pjesë frutat, të cilat ashtu sikurse perimet, janë të pasura me vitamina, kripëra minerale dhe fibra ushqimore.
..:: SI TA PERMIRESOJM KUJTESEN ::..


Çfarë mund të bëni për të përmirësuar kujtesën tuaj? Është vendimi që merrni për të përmirësuar kujtesën dhe koha që i kushtoni këtij qëllimi ato të cilat kanë rëndësi vendimtare.
Sipas njërit prej shkencëtarëve të njohur që është marrë gjatë me problemet e kujtesës (Singular, 1982), motivimi është shumë më i rëndësishëm sesa aftësitë e lindura. Pavarësisht nga aftësitë e tij për të mbajtur mend, çdokush mund të përmirësojë kujtesën nëpërëmjet 10 hapave të mëposhtme:
  1. Motivimi. Nëse egziston një motivim i fortë për të forcuar kujtesën, do t’ia arrini qëllimit, por nëse ju mungon një dëshirë e fortë dhe një motivim për të mësuar dhe për të mbajtur mend, gjasat janë që nuk mund të bëni asnjërën nga këto. Është e nevojshme që të jeni aktivë dhe të interesuar, gjë që do t’ua bëjë mjaft të lehtë procesin e kujtesës.
  2. Praktikimi i Aftësisë Memorizuese. Së pari, duhet të bëhet e qartë se aftësia memorizuese është si çdo lloj aftësie tjetër. Ajo ka nevojë të ushtrohet dhe të përdoret. Nëse nuk e përdor, atë e humb. Ekspertët e kujtesës rekomandojnë për këtë qëllim ushtrime të tilla, si fjalëkryqe, anagrama, shah, etj. Është vënë re se shumë njerëz, për të mbajtur kujtesën në nivele të mira, mësojnë një gjuhë të huaj, si japonisht, ose mblidhen rregullisht për të diskutuar ngjarjet e fundit.
  3. Vetëbesimi tek Aftësitë Personale Memorizuese. Dyshimi tek aftësitë memorizuese të vetvetes të çon në ankth, i cili nga ana e vet, ndërhyn në aftësinë për të nxjerrë informacionin nga kujtesa.
  4. Evitoni Faktorët Pengues të Kujtesës. Ngacmuesit e jashtëm janë faktorë të fuqishëm pengues, si në procesin e të mësuarit, ashtu edhe në kujtesën. Është mjaft e dëmshme dhe jo-produktive të mësosh dhe njëherazi të dëgjosh radion. Të mësuarit dhe kujtesa kërkojnë përqëndrim të lartë në mënyrë që të realizohen me sukses.
  5. Detajizmi. Përqëndrimi tek detajet është një nga kyçet e aftësisë memorizuese. Duke i kushtuar vëmendje hollësirave, kujtesa forcohet dhe elementët tërheqin njëra-tjetrën. Vetëm nëpërmjet detajeve do të jeni në gjendje të kujtoni një ngjarje me saktësi dhe kthjelltësi.
  6. Parimi i Lidhjes. Për një kujtesë të mirë është e rëndësishme vendosja e lidhjeve midis informacionit të ri dhe informacioneve të vjetra të depozituara në kujtesën afatgjatë. Gjeni lidhjet logjike se si informacioni i ri lidhet me informacionin e vjetër.
  7. Vizualizimi. Përfytyrimi është një mjet i mrekullueshëm për të nxjerrë informacionin nga kujtesa. Sa herë që është e mundur, krijoni pamje mendore të çështjeve, njerëzve, fjalëve dhe aktiviteteve që doni të mbani mend. Për të mësuar përmendësh fjalime të gjata, oratorët grekë dhe romakë kalonin dhomë më dhomë në një ndërtesë që e njihnin mirë, duke vendosur imazhet e materialit që duhet të mbanin mend në rradhë sipas dhomave ku e mësonin. Gjatë fjalimit, ata e imagjinonin veten duke kaluar nëpër dhomat dhe sipas rendit të tyre, kujtonin secilën pjesë të fjalimit.
  8. Referencat. Përdorni referenca që ndihmojnë në nxjerrjen e informacionit nga kujtesa. Sa më shumë piketa që të keni, aq më shumë shtohen gjasat që të mbani mend. Një mënyrë për të vendosur piketa automatike për nxjerrjen e informacionit është të krijoni rutina dhe struktura. Për shembull, kur hyni tek dera, vendosni çelësat e derës dhe të makinës në të njëjtin vend çdo ditë. Kur të pyesni veten se ku i kam çelësat, fakti që keni një vend të caktuar për çelësat shërben si piketë për t’i gjetur ato.
Ngadonjëherë diçka që nuk është rutinë e qartë dhe as e strukturuar për të qenë e tillë, mund të shërbejë si piketë. Për shembull, nëse doni të mbani mend diçka, vendosni orën (ose unazën) në dorën tjetër. Kjo në kohën e duhur do t’ju ndihmojë të sillni ndër mend atë që donit të bënit.
..:: STRESI ::..




Stresi është i lidhur ngushtësisht me sistemin imunitar. 

Nga pikëpamja e efekteve në sistemin imunitar, nëse stresi ynë bëhet kronik, qelizat imune në organizëm janë të stimuluara vazhdimisht nga shkalla e lartë e prodhimit të hormoneve të stresit. Por, në të vërtetë, ato nuk po përballen me ndonjë rrezik real ose ndonjë patogjen kërcënues, kështu që ato mësohen me shkallën e lartë të hormoneve të stresit në gjak. Kur trupi përballet me një rrezik të vërtetë, qelizat imune nuk stimulohen më dhe humbasin aftësinë për të luftuar agresionin. Në këtë mënyrë, sistemi imunitar shkatërrohet. Kjo bëhet shkak për shumë sëmundje kryesisht infektive deri edhe tumorale.
Për shkak të lidhjes së fuqishme të stresit me sistemin imunitar, është krijuar një degë e re e mjekësisë, e quajtur psikoneuroimunologji. Psikoneuroimunologjia është një fushë e re që studion bashkëveprimin midis stresit, nga njëra anë, dhe imunitetit, gjendrave endokrine dhe aktivitetit të sistemit nervor nga ana tjetër. Psikoneuroimunologët kanë krijuar edhe një lidhje të mundshme midis stresit dhe kancerit (Herberman, 2002). Stresi nuk shkakton kancer në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ai, siç duket, dëmton sistemin imunitar dhe në këtë mënyrë, qelizat tumorale janë më të afta për t’u vendosur dhe për t’u përhapur në trup.

..:: DIQKA INTERESANTE PER UJIN ::..


Nëse do të pinit ujë sapo të zgjoheni në mëngjes trupi juaj do t’ju “falënderonte”, pasi ai i sjell atij një sërë të mirash të paçmueshme. Filloni ta praktikoni sa më shpejt këtë gjë.
Cila është gjëja e parë që duhet të bëni sapo të zgjoheni? Përveçse duhet të fikni zilen e zgjimit, pa asnjë dyshim duhet të pini edhe ujë. Këtë gjë e kanë pohuar unanimisht të gjithë ekspertët, që kanë shpjeguar të gjitha mënyrat dhe përfitimet e prirjes së H2O si aktin e parë të ditës.


..:: BROKULI ::..



Brokuli është shumë i pasur me vitamina dhe minerale.
• Përmban vitamin A në formë të beta-karotenit.
• Një brokul i madhesise mesatare përmban më shumë vitamin C sesa një portokal.
• Brokuli është burim i pasur i Vitaminës të grupit B si : B1, B2, B3, B5, B6 B9 (acid folik)
• Në përmbajtjen e brokulit është e pranishme edhe vitamina K
• Mineralet të cilat gjenden në sasi të madhe në brokuli janë: hekuri, kalciumi, kaliumi, magnezi dhe zingu.
• Brokuli është i pasur edhe me fibra.
Brokuli u takon perimeve që e ruajnë shëndetin tonë dhe lufton shumë sëmundje siç janë:
• Sëmundjet e zemrës: Përveç antioksidanteve të përmendura më lart, brokuli ka përmbajtje të lartë ne fibra, beta-karotene, acide yndyrore omega-3 dhe vitamina të tjera që ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq si dhe mbajne zemrën te funksionoje siç duhet duke rregulluar-presionin e gjakut.
• Anemia: Anemia është e lidhur direkt me mungesën e hekurit dhe disa proteinave. Brokuli është i pasur me të dyja dhe kështu formon një zgjidhje të shkëlqyer për anemi. Tani, le të kemi një vështrim në të gjithë përbërësit e pranishëm në brokuli. Ata janë karbohidratet, omega-3 acidet yndyrore, proteina, vitamina A, B kompleks, C dhe E, beta-karotenet, kalciumi, hekuri, magnezi, fosfori, kromi, kalium mangani, glucoraphanini, dindolylmethani, zeaxanthini, uji dhe fibrat.
• Kanceri: Brokuli eshte luftuesi natyror për shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e gjirit, kancerin e mitrës, kancerin e prostates, kancerin e organeve të brendshme si mushkëritë, mëlçinë, zorrën e trashë, veshkat etj. Por brokuli është veçanërisht i mirë për kancerin e gjirit dhe kancerin e mitrës sepse ajo heq estrogjenin, shtesë nga trupi. Kjo për shkak të pranisë së fortë anti-kancerogjene si sulforaphane, dindolylmethane, beta-karotene, selen dhe vitamina të tjera si-vitamina C, vitamina A dhe-vitamina E, zinku, kaliumi dhe disa aminoacide, të cilat janë efikase kundër agjenteve kancerogjenë.
• Çrregullimet në stomak: Brokuli është shumë i pasur me fibra dhe mund të kurojë pothuajse të gjitha çrregullimet e stomakut me shërimin e kapsllëkut sepse kapsllëku është rrënja e pothuajse të gjitha çrregullime ne stomak. Fibrat formojne pjesën më te madhe te ushqimit, ujit dhe ruajnë formën e zorrëve. Magnezi dhe vitaminat e pranishme në brokuli kurojnë aciditetin për të lehtësuar tretjen e duhur dhe thithjen e ushqyesve nga ushqimi dhe zbusin barkun me uljen e inflamacionit.
• Efekt detoksikues: Prania e vitaminës C, sulfurit dhe disa aminoacideve e bëjnë brokulin një detoksikues shumë të mirë. Ai ndihmon në heqjen e radikaleve të lira dhe toksinave nga trupi si acidi urik duke pastruar gjakun dhe mbajtur larg problemet që lidhen me toksinat si skuqjen, artritin, reumatizmat, calculi(guret) i veshkave, sëmundje të lëkurës si ekzemë dhe acarime, etj.
• Kujdesi i lekurës:Per mbajtjen e lëkurës tuaj të re dhe me shkëlqim merita i takon antioksidanteve si beta karoteni, vitaminës C dhe ndihmësave të tjerë si kompleksi i vitamines B, vitaminës E (vitamina E i jep shkelqim lëkurës tuaj, flokëve dhe ngjall indet e lëkurës), vitamines A & K, acideve yndyrore omega 3, aminoacideve dhe folateve te pranishëm në brokuli.
• Kujdesi për sytë: Kryesisht Zeaxanthin dhe pastaj Beta-karotene, vitamina A, fosfori dhe vitamina të tjera të tilla si, C, B kompleks dhe E janë shumë të mira për shëndetin e syrit. Këto substanca mbrojnë sytë kundër perdes së syrit si dhe riparimin e dëmeve nga rrezatimet UV.
• Shendeti i kockave: Duke qenë shumë i pasur me kalcium dhe vitamina të tjera të tilla si, zinku magnezi dhe fosfori, konsumimi i brokulit është shumë i dobishëm veçanërisht për fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna ose nënat në gjidhënie, sepse këta njerëz janë më të prirur për osteoporozën, dobësimin e kockave, dhëmbëve, etj, nga mungesa e kalciumit.
• Imuniteti: Substancat përgjegjëse për ngjyrën e gjelbër tek brokuli, vitamina C, beta-karoteni, si dhe vitaminat e mineralet tjera si seleni, bakri, zinku, fosfori etj, forcojnë sistemin imunitar si dhe na mbrojnë nga infeksionet e shumta.
• Shtatzënia: Brokuli është ushqim thelbesor për shtatzanat sepse është i pasur me proteina, kalcium, vitamina, anti-oksidant, detoksifikues, hekur, fosfor te cilët e bejnë një komponent ideale për dietat. Duke qenë i pasur me fibra, brokuli gjithashtu mban larg kapsllëkun i cili është shumë i zakonshem gjatë shtatëzënisë.
..:: Jeta-Al ::..

Jeta-Al eshte faqe ku mund te shikoni gjera per ruajtjen e shendetit tuaj