..:: Ja Arsyet për të mos pirë Duhanin ::..
Cigarja përmban rreth 400 substanca helmuese, të cilat ndikojnë në jetëgjatësinë e njeriut, duke e ulur atë nga 7 në 10 vjet.
Pirja e duhanit mund të shkaktojë:
Arsyeja e Parë:
Kancer. Kanceri i mushkërive, fytit dhe i gojës janë mjaft të përhapur tek duhanpirësit dhe rrallë mund të prekin persona të tjerë që nuk pinë duhan. Sipas statistikave, 90% e rasteve me kancer të mushkërive ndodhin për shkak të duhanpirjes. Të përhapura gjithashtu tek duhanpirësit janë edhe kanceri i fshikëzës së urinës, i ezofagut, i veshkave i pankreasit dhe kanceri i qafës së mitrës.
Arsyeja e Dytë:
Sëmundje Kardiovaskulare. Duhani ndikon në shtimin e rrahjeve të zemrës dhe konsumi i tij për një kohë të gjatë #on në aritmi. Gjithashtu, duhani ndikon në ngushtimin e enëve të gjakut, forcimin dhe humbjen e elasticitetit të tyre. Në të njëjtën kohë, nga konsumi i duhanit, aftësia mpiksëse e gjakut rritet katër herë. Kjo gjë që çon në mpiksje të gjakut dhe trompozë. Ngushtimi dhe bllokimi i enëve të gjakut në pjesë të ndryshme të trupit mund të shkaktojë atak në zemër, goditje në tru, paralizë, hipertension, gangrenë, katarakt në sy, etj.
Për meshkujt duhanpirës rreziku për të pasur probleme me erektimin rritet në 50%. Kjo vjen për shkak të ngushtimit të enëve të gjakut, të cilat bëjnë që penisi të mos furnizohet mjaftueshëm me gjak duke shkaktuar impotencë.
Arsyeja e Tretë:
Sëmundje Pulmonare Kronike. Duhani është përgjegjës në 80% të rasteve për zhvillimin e sëmundjeve pulmonare kronike, si emfizema dhe bronkiti kronik. Gjithashtu, duhani e përkeqëson mjaft astmën dhe rrit faktorët e riskut për pneumoni, laringit, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, bronkit asmatik, emfizemë pulmonare, etj.
Arsyeja e Katërt:
Infertilitet. Çiftet duhanpirës kanë më shumë mundësi për të pasur probleme me fertilitetin sesa ata që nuk pinë duhan. Në qoftë se të dy partnerët janë konsumatorë të duhanit, risku për infertilitet është dy herë më i lartë nëse vetëm njëri prej partnerëve është duhanpirës.
Arsyeja e Pestë:
Rënie të Dhëmbëve. Duhani shkakton njolla, zverdhje dhe rënie të dhëmbëve, dëmtim dhe fryrje të mishrave të dhëmbëve, si dhe erë të keqe nga goja. Ai dëmton mukozën e gojës, nxit prodhimin e pështymës, jep një shije të keqe në gojë dhe ndryshon shijen e ushqimeve.
Arsyeja e Gjashtë:
Ulçer në Stomak. Duhani, dëmton aparatin e tretjes, dëmton mukozën e stomakut dhe ndikon në shfaqjen dhe përparimin e ulçerës në stomak.
Arsyeja e Shtatë:
Probleme me Lëkurën. Lëkura e duhanpirësit është më e zbehtë dhe më me shumë rrudha, pasi duhani redukton furnizimin me gjak të lëkurës dhe ul nivelin e vitaminës A.
Arsyeja e Tetë:
Probleme në Fetus. Nëse një grua shtatzënë është konsumatore e duhanit, dëmi që shkakton te fetusi është jashtëzakonisht i madh. Pirja e duhanit shkakton uljen e oreksit të gruas shtatzënë, ndërkohë që ajo ka nevojë për ushqim për të përballuar procesin e vrullshëm të zhvillimit embrional dhe atë fetal. Duhani ul aftësinë e mushkërive për të thithur oksigjenin dhe kjo pengon zhvillimin normal të foshnjës. Në mungesë të oksigjenit dhe lëndëve ushqyese nuk mund të ketë zhvillim normal të trurit dhe organeve të tjera.
Nikotina dhe përbërësit e tjerë të duhanit, dëmtojnë zhvillimin normal të bebes. Ajo rrit rrahjet e zemrës dhe lëvizjet frymëmarrëse të bebes.
Përqindja e aborteve, lindjeve të parakohshme dhe foshnjave nën peshë është më e lartë tek nënat që pijnë duhan. Nënat duhanpirëse bëjnë lindje të vështira, gjë që krijon probleme, madje çon edhe në dështim. Ato shpesh kryejnë lindje të parakohshme dhe bebet e tyre peshojnë rreth 150 gr më pak se pesha normale. Fëmijët që lindin nga një nënë konsumatore e duhanit janë të prirur për sëmundje të tilla si astma dhe infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes. Gjithashtu, pas lindjes, lëndët e rrezikshme kalojnë edhe përmes qumështit të gjirit nga nëna tek bebja. Tek foshnjat e nënave duhanpirëse sindroma e vdekjes së papritur (në të cilën foshnjat nën gjashtë muaj pushojnë së marri frymë dhe vdesin pa shkaqe të dukshme) është më e shpeshtë se tek nënat jo-duhanpirëse.
Arsyeja e Nëntë:
Helmim i Sistemit Nervor. Për ata që pinë për herë të parë duhan, mund të ndodhë helmimi i menjëhershëm i trurit, i cili shoqërohet me dhimbje koke, të vjella, marrje mendsh, etj. Për ata që e pinë duhanin për një kohë të gjatë, ndodh helmimi kronik i sistemit nervor, i cili shoqërohet me dhimbje të vazhdueshme të kokës, marrje mendsh, ulje kujtese, etj.
Arsyeja e Dhjetë:
Osteoporoza. Pirja e duhanit pengon absorbimin e kalciumit nga organizmi, duke ulur densitetin kockor dhe favorizuar frakturat.
No comments:
Post a Comment