..:: SI TA PERMIRESOJM KUJTESEN ::..
Çfarë mund të bëni për të përmirësuar kujtesën tuaj? Është vendimi që merrni për të përmirësuar kujtesën dhe koha që i kushtoni këtij qëllimi ato të cilat kanë rëndësi vendimtare.
Sipas njërit prej shkencëtarëve të njohur që është marrë gjatë me problemet e kujtesës (Singular, 1982), motivimi është shumë më i rëndësishëm sesa aftësitë e lindura. Pavarësisht nga aftësitë e tij për të mbajtur mend, çdokush mund të përmirësojë kujtesën nëpërëmjet 10 hapave të mëposhtme:
- Motivimi. Nëse egziston një motivim i fortë për të forcuar kujtesën, do t’ia arrini qëllimit, por nëse ju mungon një dëshirë e fortë dhe një motivim për të mësuar dhe për të mbajtur mend, gjasat janë që nuk mund të bëni asnjërën nga këto. Është e nevojshme që të jeni aktivë dhe të interesuar, gjë që do t’ua bëjë mjaft të lehtë procesin e kujtesës.
- Praktikimi i Aftësisë Memorizuese. Së pari, duhet të bëhet e qartë se aftësia memorizuese është si çdo lloj aftësie tjetër. Ajo ka nevojë të ushtrohet dhe të përdoret. Nëse nuk e përdor, atë e humb. Ekspertët e kujtesës rekomandojnë për këtë qëllim ushtrime të tilla, si fjalëkryqe, anagrama, shah, etj. Është vënë re se shumë njerëz, për të mbajtur kujtesën në nivele të mira, mësojnë një gjuhë të huaj, si japonisht, ose mblidhen rregullisht për të diskutuar ngjarjet e fundit.
- Vetëbesimi tek Aftësitë Personale Memorizuese. Dyshimi tek aftësitë memorizuese të vetvetes të çon në ankth, i cili nga ana e vet, ndërhyn në aftësinë për të nxjerrë informacionin nga kujtesa.
- Evitoni Faktorët Pengues të Kujtesës. Ngacmuesit e jashtëm janë faktorë të fuqishëm pengues, si në procesin e të mësuarit, ashtu edhe në kujtesën. Është mjaft e dëmshme dhe jo-produktive të mësosh dhe njëherazi të dëgjosh radion. Të mësuarit dhe kujtesa kërkojnë përqëndrim të lartë në mënyrë që të realizohen me sukses.
- Detajizmi. Përqëndrimi tek detajet është një nga kyçet e aftësisë memorizuese. Duke i kushtuar vëmendje hollësirave, kujtesa forcohet dhe elementët tërheqin njëra-tjetrën. Vetëm nëpërmjet detajeve do të jeni në gjendje të kujtoni një ngjarje me saktësi dhe kthjelltësi.
- Parimi i Lidhjes. Për një kujtesë të mirë është e rëndësishme vendosja e lidhjeve midis informacionit të ri dhe informacioneve të vjetra të depozituara në kujtesën afatgjatë. Gjeni lidhjet logjike se si informacioni i ri lidhet me informacionin e vjetër.
- Vizualizimi. Përfytyrimi është një mjet i mrekullueshëm për të nxjerrë informacionin nga kujtesa. Sa herë që është e mundur, krijoni pamje mendore të çështjeve, njerëzve, fjalëve dhe aktiviteteve që doni të mbani mend. Për të mësuar përmendësh fjalime të gjata, oratorët grekë dhe romakë kalonin dhomë më dhomë në një ndërtesë që e njihnin mirë, duke vendosur imazhet e materialit që duhet të mbanin mend në rradhë sipas dhomave ku e mësonin. Gjatë fjalimit, ata e imagjinonin veten duke kaluar nëpër dhomat dhe sipas rendit të tyre, kujtonin secilën pjesë të fjalimit.
- Referencat. Përdorni referenca që ndihmojnë në nxjerrjen e informacionit nga kujtesa. Sa më shumë piketa që të keni, aq më shumë shtohen gjasat që të mbani mend. Një mënyrë për të vendosur piketa automatike për nxjerrjen e informacionit është të krijoni rutina dhe struktura. Për shembull, kur hyni tek dera, vendosni çelësat e derës dhe të makinës në të njëjtin vend çdo ditë. Kur të pyesni veten se ku i kam çelësat, fakti që keni një vend të caktuar për çelësat shërben si piketë për t’i gjetur ato.
Ngadonjëherë diçka që nuk është rutinë e qartë dhe as e strukturuar për të qenë e tillë, mund të shërbejë si piketë. Për shembull, nëse doni të mbani mend diçka, vendosni orën (ose unazën) në dorën tjetër. Kjo në kohën e duhur do t’ju ndihmojë të sillni ndër mend atë që donit të bënit.
No comments:
Post a Comment